AlbanianSport.com 08.02.2015 11:45
ASNN – 13 fitore në po aq javë, ku ka shënuar plot 32 gola, duke pësuar vetëm 9.Ky është bilanci mbresëlënës i skuadrës së Gramshit, që drejtohet nga trajneri kryeqytetas, Luan Metani, dhe që këtë sezon synon si titullin “kampion” në Kategorinë e Dytë, ashtu edhe ngjitjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Ekipi i Gramshit garon në grupin B të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe këtë sezon skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Metani, ka spikatur, duke korrur 13 fitore në po aq javë dhe duke kryesuar bindshëm renditjen.
Sipas Metanit, suksesi ka ardhur si rrjedhojë e përforcimeve të bëra dhe krijimit të një grupi solid lojtarësh, si në formacion, ashtu edhe në stol. “Që në fillim të këtij sezoni, që në gusht madje, në ekip janë grumbulluar futbollistë cilësorë dhe, pavarësisht se grupi i Jugut ka skuadra dhe futbollistë mjaft të mirë, kemi arritur që të marrim rezultate pozitive, falë përgatitjes së lartë dhe disiplinës ne ekip, – ka deklaruar trajneri kryeqytetas. – Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar merkatos së dimrit, ku nëpërmjet blerjeve kemi arritur që të ngremë një ekip të dytë stoli.”
Sipas drejtuesve të klubit, synimi këtë sezon është rikthimi në Kategorinë e Parë. Sekretari i klubit, Edmond Hida, shprehet se dy janë objektivat e ekipit të Gramshit, ngjitja në Kategorinë e Parë dhe shpallja “kampion” në Kategorinë e Dytë, ku skuadra do të ndeshet në një finale me ekipin fitues të grupit A. Fjalëve të trajnerit dhe shefit të klubit u ka bërë jehonë edhe kapiteni Ledio Koçi, i cili ka vlerësuar lojtarët e ardhur, por edhe mbështetjen nga pushteti lokal. Ndeshja e radhës për Gramshin është ajo e të dielës në fushën e vet ndaj Egnatias.