Gjergj Vyshka 06.03.2015 18:35
Dinamovitët ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e trajnerit, ndonëse nga administratori i bluve, Ismet Saliaj, ishte premtuar që do të bëhej e ditur brenda së enjtes. Madje një ndër emrat që lakohej e që dukej shumë pranë stolit të bluve ishte Faruk Sejdini. Por të paktën deri të enjten pasdite nuk ka pasur asnjë zhvillim.
Nisur dhe nga barazimi pa gola në Sarandë, por dhe ajo që skuadra ka prodhuar në fushën e lojës, ka të ngjarë që edhe ndaj Pogradecit në krye të Dinamos të jetë Rodenc Asllani. “Kemi kaluar një ndeshje të vështirë, sepse kishim mungesa, – ka thënë kreu i klubit blu. – Them se kemi bërë një paraqitje të mirë.”
“Gjithsesi jemi të kënaqur me një pikë, tanimë na duhet të marrim maksimumin nga ndeshja me Pogradecin”, – ka përfunduar Saliaj. Kësisoj Dinamo përgatitet për të fituar ndaj Pogradecit, një “mace e zezë” për blutë jo vetëm në fushën e liqenorëve, ashtu dhe në Tiranë.
Nuk duhet harruar që sezonin e kaluar, më 5 prill, në “Selman Stërmasi”, Dinamo ka barazuar 1-1 me Pogradecin.