AlbanianSport.com 06.03.2015 10:35
ASNN – Zhoze Murinjo është trajneri ideal për 48% të futbollistëve që janë përfshirë në sondazhin e revistës prestigjioze angleze “FourFourTwo” (4-4-2). Përvec portugezit, futbollistët janë përgjigjur edhe për emra të tjera trajnerësh si Klop, Guardiola, Venger, etj. Në sondazh janë përfshirë edhe pyetje mbi abuzimet raciste dhe “Fair Play”-in. Përgjigjet kanë qenë befasuese për organizatorët e sondazhit të cilët mesa duket nuk e prisnin një popullaritet të tillë deri në 48% të të mbiquajturit “Special One” (I veçanti).
Mourinho festoi trofeun e 7-të si trajner i Çellsit pas suksesit ndaj Totenhem Hotspërs në finalen e Kupës së Ligës Angleze. Gjithashtu ai ka shijuar dy suksese në Ligën e Kampioneve dhe titullin “kampion” në Angli, Portugali, Itali dhe Spanjë. Mes të pyeturve kishte nga ata që deklaronin se “lojtarët bëjnë gjithçka për Murinjon, duke marrë si shembull punën e tij tek Interi”.
Pas Zhoze Murinjos, trajneri i dytë më i pëlqyer rezultoi spanjolli i Bajernit të Mynihut dhe ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, me 31% të votave. Ndërkohë shumë të shkëputur mbeten pas emra të njohur në futbollin evropian. Kështu Arsene Vengeri mori vetëm 8% të preferencave, ndërsa Sem Allardajsi dhe Jurgen Klopi nuk shkuan më shumë se 6% të votave.
Ndërkaq, vetëm 1% e futbollistëve votuan si trajner ideal, numrin 1 në stolin e përfaqësueses së “3 Luanëve” të Anglisë, Roi Hoxhsonin. Për “Big Semin”, futbollistët mendojnë se është një trajner i mirë, por i ashpër me të rinjtë. Ndërsa për Vengerin, të anketuarit nuk janë të kënaqur se si ai ndryshon mendjen pas provave që kryen me lojtarët në merkato.