AlbanianSport.com 05.03.2015 19:35
ASNN – Lufta për vendin e parë që të çon direkt në Kategorinë Superiore është nxehur mjaft në grupin A, ashtu edhe në grupin B të Kategorisë së Parë, pasi skuadrat kryesuese janë ndalur në takimet e javës së 17-të, duke u dhënë mundësi ndjekëseve të afrohen. Në grupin e Veriut, Tërbuni është ndalur në duelin e kreut në një barazim 1-1 në Pukë nga ndjekësja më e afërt, Mamurrasi, ndërsa nga ky rezultat ka përfituar më së mirë një tjetër rivale, Besëlidhja, e cila ka fituar në shtëpi përballë Ilirisë së Fushë-Krujës.
Tërbuni kryeson renditjen e grupit A, me 43 pikë, i ndjekur nga Mamurrasi me 42 dhe Besëlidhja me 41.Duke folur pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Mamurrasit, Sinan Bardhi, u shpreh i kënaqur me pikën e marrë. “Kishim të bënim me një kundërshtar të fortë që jo më kot udhëheq klasifikimin, – ka deklaruar ai. – I përgëzoj lojtarët që e arritën këtë barazim. U zhvillua një lojë e fortë nga të dyja skuadrat. Kishim shanset tona, por nuk shkuam më shumë se barazimi. Tashmë duhet të mendojmë për sfidën e radhës që do të luajmë në fushën tonë ndaj Besëlidhjes.”
“Një takim i rëndësishëm që duhet ta fitojmë, – ka shtuar Bardhi. – Nuk ka shumë kohë, kështu që duhet të jemi të angazhuar maksimalisht për këtë sfidë.” Ndërsa trajneri i Tërbunit, Elvis Plori, theksoi se skuadra e tij u përball me një ekip të përbërë nga futbollistë cilësorë të ardhur nga Superiorja. “Jam i kënaqur me lojtarët që zhvilluan një lojë të mirë dhe zbatuan detyrat që u ishin dhënë, – ka deklaruar ai. – Në pjesën e parë kishim mundësi të shënonim 3 gola. Goli i barazimit nga ekipi kundërshtar erdhi nga një pakujdesi në mbrojtje.”
“Ekipi i Tërbunit është përsëri drejt ngjitjes, pavarësisht distancës së pikëve. Ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës që kemi në Krujë, ku synojmë 3-pikëshin. Falënderoj tifozërinë pukjane që na mbështeti”, – ka përfunduar trajneri shkodran i Tërbunit, Elvis Plori.