Gjergj Vyshka 05.03.2015 13:45
“100 ditë deri në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku”. Kjo ka qenë veprimtaria që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar dje në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” në kryeqytet, ndërsa fëmijët e e asaj shkolle, nën drejtimin e mësueses së edukimit fizik Laura Derhemi, kishin përgatitur gjithçka mirë, ndërsa e shndërruan festën e tyre në një ditë të vërtetë olimpike.
Me praninë e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gjergji Ruli, Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, si dhe të anëtarëve të komitetit drejtues të KOKSH, Skënder Anxhaku, Ilir Gusho, Majlinda Pilinci, fëmijët e kësaj shkolle kanë demonstruar se kanë dëshirë të merren me sport.
Gjithçka është hapur me ekzekutimin e himnit kombëtar të Shqipërisë dhe të Komitetit Olimpik Evropian. Më pas drejtori i shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi”, Albert Zhupa, ka falënderuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për këtë mundësi që i dha shkollës që ai drejton. “Është në qëllimin e shkollës sonë që procesi mësimor të eci paralelisht me atë fizik”, – ka thënë ai.
“Mesazhi i KOKSH për më shumë sport është bërë pjesë e nxënësve tanë, ndërsa java olimpike do të vazhdojë të jetë pjesë e programit të shkollës sonë, – ka vijuar Zhupa. – Ne jemi një shkollë që talentet në sport nuk i kanë munguar. Ndaj ju uroj të gjithëve suksese”. Më pas në emër të KOKSH ka uruar presidenti Bezhani, i cili ka theksuar: “Ju falënderoj në emër të KOKSH.”
“Ndërsa veprimtaritë me qëllime sportive duhet të jenë të shpeshta. Vlerat e sportit po i tregoni dhe sot. Suksese, ndërsa pjesëmarrja juaj është e jashtëzakonshme”, – ka përfunduar Bezhani. Më pas gjithçka ka kaluar në ekzekutimin e programit që nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur, atje ku aerobia dhe vallëzimi modern është alternuar me atë popullor.
Pa harruar që ka pasur dhe ekzekutime të ushtrimeve të taekuondosë dhe karatesë, ndërsa nxënës të kësaj shkolle janë pjesë e skuadrave. Gara me biçikleta, vrapime, lojëra hendbolli, basketbolli, volejbolli e futbolli kanë plotësuar programin, ndërsa fëmijët kanë qenë të veshur me bluza të bardhe me simbolet e Lojërave Olimpike Evropiane 2015.