Gjergj Vyshka 05.03.2015 07:55
Kastrioti duket se ka shpëtuar nga makthi i rënies direkte në Kategorinë e Dytë pas fitores së djeshme spektakolare në Pezë-Helmës ndaj një rivali direkt si Veleçiku. Madje këta të fundit, edhe duke e thelluar distancën me ata që kanë më sipër, pas kësaj humbjeje e pranojnë që janë të rënë në të dytën.
Për të mos u dorëzuar përfundimisht, teksa kanë mbetur dhe 10 ndeshje deri në përfundimin e sezonit të Kategorisë së Parë, me gjysmë zëri, trajneri i koplikasve Ligataj ka pranuar që është prerë një gjysmë bilete në rrugën e rënies në të dytën.
Sepse Veleçiku, në radhë të parë duke mos pasur një fushë të veten për të bërë ndeshjet si pritës, por në radhë të dytë edhe me shumë largime në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, duket se nuk ka shpëtim.
Është luajtur një ndeshje e mirë në Pezë-Helmës, ndërsa administratori i Akademisë së futbollit Internacional, Kreshnik Agolli, do të pranonte që një fushë e mirë dhe cilësore sjell pjellori golash.
Dhe ka të drejtë, sepse në dy ndeshje të grupit të Veriut të luajtura në Pezë-Helmës, teksa bëhet fjalë për Ada e Velipojës-Tërbuni dhe Veleçiku i Koplikut-Kastrioti, janë bërë aq shumë gola sa që edhe ekipe me emër si Dinamo e kanë të vështirë dhe të imagjinojnë që të prodhojnë aq shumë sa janë shënuar në këto dy ndeshje.
Teknikë, fantazi, spektakël, ankth deri në fund. Kjo ka qenë pamja e ndeshjes Veleçiku-Kastrioti, që në fundi i pati dy ekstremet, festën në kampin e krutanëve dhe mërzitjen në atë të koplikasve.