Gjergj Vyshka 04.03.2015 12:50
Kryesfida e javës së 17-të në grupin e Veriut të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të jetë Tërbuni-Mamurrasi. Dhe në këto kushte, trajneri i pukjanëve, shkodrani i suksesshëm Elvis Plori, është shprehur i sigurt se skuadra e tij do të dalë fituese nga kjo sfidë.
“Mamurrasit, pavarësisht se është ndjekësi ynë më i afërt, nuk ia kemi frikën, – ka deklaruar ai. – Ne po punojmë me detaje për t’i rrëmbyer tri pikët e radhës. Kjo pasi jemi një ekip që nuk njohim humbje. Në një garë me disa pretendentë për të pasur sukses duhet maksimumi i pikëve në çdo takim.”
“Kjo ndeshje është një finale për ne, aq më tepër që luajmë ndaj një rivali të fortë. Në këtë ndeshje duhet kujdes, vëmendje, si dhe të durosh presionin. Ne do të luajmë në shtëpi dhe jam i bindur se do t’u dhurojmë tifozëve një tjetër 3-pikësh. Duhet ta kalojmë me sukses këtë sfidë të vështirë për të vazhduar rrugën tonë drejt ngjitjes në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar Plori në prag të sfidës me Mamurrasin.