Gjergj Vyshka 04.03.2015 09:55
“100 ditë drejt Baku 2015”. Kjo është veprimtaria që sot Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të organizojë në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, ndërsa sipas drejtuesve të olimpizmit shqiptar, ajo ka për qëllim promovimin e Lojërave të para Olimpike Evropiane, të cilat sivjet do të zhvillohen në Baku, nga data 12, deri më 28 qershor 2015.
E vërteta është se Shqipëria do të marrë pjesë në këtë aktivitet, ndërsa që nga sot ka nisur numërimi mbrapsht i ditëve deri në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Evropiane, më 12 qershor të këtij viti. Veprimtaria është parashikuar të jetë një manifestim i simboleve, traditës dhe sportit shqiptar, të cilat do të ndërthuren me simbolet e Lojërave të para Olimpike Evropiane, që do të mbahen në Baku.
Nuk duhet harruar që shkolla “Pjetër Budi” nuk është e rastësishme e zgjedhur për këtë veprimtari, sepse dhe më parë ka qenë në qendër të veprimtarive sportive. Ajo që duhet theksuar është se gati një vit më parë në atë shkollë ka qenë mjeshtri i shahut botëror, Anatoli Kasparov, për të nisur që aty projektin e zhvillimit të shahut në shkolla. Kështu që “Pjetër Budi” sot do të kthehet në qendër të olimpizmit pikërisht për “Baku 2015”.