AlbanianSport.com 04.03.2015 07:35
ASNN – Butrinti është bërë gati jo vetëm për të fituar me Dinamon, sot në Sarandë, por njëkohësisht edhe për të festuar vazhdimin e garës në luftën për t’u ngjitur në Superiore. Dy takimet e fundit të Butrintit me Dinamon në Sarandë kanë dalë 1-0 për sarandjotët, teksa ka shënuar Xhibro në minutën e 84-t, si dhe 2-2. Për sarandjotët pat shënuar Muço e Myrtaj, por në pjesën e dytë pati barazuar Dinamo.
Grupi është pothuajse i njëjtë, të paktën dhe sipas sarandjotëve, ndaj të gjithë janë gati për të festuar suksesin e radhës me Dinamon. Ndërkohë duket se sarandjotët kanë nisur të mendojnë që tani për lojtarët që do të mund të kenë në skuadër nëse ngjiten në Kategorinë Superiore. E një prej tyre është qendërmbrojtësi i Shkumbinit, Emiljano Lundraxhiu.
Lundraxhiu ka qenë për pak kohë pjesë e Butrintit, ndërsa të shtunën ka bërë një ndeshje të mirë me Shkumbinin, aq sa disa nga sarandjotët janë acaruar me paraqitjen e tij mbresëlënëse. Në fund të ndeshjes ai është afruar tek tifozëve dhe u ka uruar atyre ngjitjen në Superiore. Presidenti Çipa, të paktën sipas sarandjotëve, ka bërë një marrëveshje verbale me të duke treguar se sezonin e ardhshëm e do në skuadër.
Megjithatë tashmë objektivi kryesor i Butrintit është fitorja me Dinamon.