Gjergj Vyshka 02.02.2015 20:35
Ultrasit e Dinamos, të quajtur ndryshe “Blue Boys”, dje kanë deklaruar bojkotin e tyre ndaj skuadrës pas humbjes me Bylisin në Pezë-Helmës. Ata kanë dalë me një deklaratë për shtyp, e cila është si më poshtë:
“Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në ambientin e krijuar përreth ekipit të futbollit Dinamo, Tifo-grupi BLUE BOYS deklaron bojkotin pa afat në shkallët e stadiumit. Arsyet tashme dihen, megjithatë nuk ngurrojmë t’i përsërisim sërish. Prej kohësh, Dinamo është kthyer në një han pa porta, ku hyjnë e dalin njerëz çdo ditë. Prej kohësh Dinamo është kthyer si një fëmijë i braktisur nga familja dhe i dëbuar nga shtëpia. Njerëzit që janë në krye të klubit janë si hijet. Të gjithë e dinë që ekzistojnë, por asnjëri nuk i ka parë më prej disa vitesh. As nuk duken më përreth, pasi për para as që bëhet fjalë. Futbollistët që luajnë në fushë as që e meritojnë fanellën, përjashto këtu 2-3 lojtarë, të tjerët duhet të largohen një herë e më parë. Së fundmi, këta lojtarë, bashkë me ‘administratorin” në krye të ekipit, kanë formuar një trupë të shkëlqyer teatrale. Nëse ka një gjë që lojtarët tanë e bëjnë më së miri, është jeta e natës dhe fotot në Instagram, duke treguar se si kanë kaluar të “Lollipop” me ndonjë puro në dorë e ndonjë “Jager” me tepër. Ju bëjmë me dije të nderuar “aktorë të futbollit” se Dinamo nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë vetëm, pasi ne do t’i dalim gjithmonë për zot. Kemi qenë në krah të saj edhe kur ishim 5 vetë në stadium dhe për ekipin nuk donte t’ia dinte njeri. Kemi qenë ne që prej 5 sezonesh mbështesim ekipin pa kushte, në çdo situatë. Kemi qenë ne edhe kur zëvendëspresidenti përgjigjej në mënyrë tallëse kur i kërkonim autobusë për fushë të huaj. E megjithatë nuk u dorëzuam. E ja ku jemi duke u rritur çdo ditë e më shumë. Të paktën, na vjen mirë që keni filluar të ndjeni se dikush interesohet për Dinamon dhe po përpiqeni të na largoni. Por, nuk do ja dilni. Kërkojmë që nëse jeni kundër, mund të komentoni në këtë deklarate, pasi jeni edhe fansa në faqen tonë të nderuar futbollistë e i nderuar trajner. Kërkojmë nga drejtuesit që nëse nuk e mbani dot Dinamon, shiteni tek një person tjetër. E nëse ndryshoni mendje e qëndroni, shtrëngoni mirë zinxhirët! Me gjithë respektin për punën e bëre, largimi i trajnerit është një veprim i drejtë pasi ekipi nuk përshtatet dot në fushë! Presim zyrtarizimin. Së fundmi, kërkojmë që ekipi të bëjë autokritikë e t’i kërkojë falje të gjithë tifozërisë edhe të gjithë atyre legjendave që kanë kontribuar për vite të tëra për Dinamon. Shpresojmë në mirëkuptim dhe nëse nuk jeni dakord, jemi gati ta zgjidhim, qoftë edhe në mënyra personale. Në stadium do të rikthehemi në një moment të dytë, kur edhe ju t’i keni vënë mend kokës, por nuk do të ndalemi këtu”.
Dhe në këto kushte, reagimi i Blue-Boys është ndër më të fortët e viteve të fundit që Dinamon duhet ta shkundë fort.