Gjergj Vyshka 02.02.2015 14:35
Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Shkëlqim Mema, ka lajmëruar se Erjon Tola,Suela Mëhilli dhe i riu i talentuar Uilljam Zeneli janë përfshirë së fundmi në dy veprimtari ndërkombëtarë në Serbi. I pari ka qenë në Mokra Gora, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, kurse i dyti në Kapoanik, pak në veri me Kosovën.
“Në të parën, – thotë Mema, – nuk morën pjesë, sepse nuk u mbërritën skitë për dy ditë. Dhe pas një odiseje të përnatshme në Rinas, prej katër ditësh janë në Kapoanik”. Në sllallomin gjigant, mes 35 pjesëmarrësve, Erjon Tola zuri vendin e 9-të, kurse Suela Mëhilli e katërta.
“Por më e rëndësishme është fakti se Zeneli në garën e tij të parë ndërkombëtare merr 200 pikë”, – thotë Mema. Në sllallomin special, Suela Mëhilli nuk e përfundoi garën, kurse Zeneli arrin të kapë 149 pikë, gjithnjë sipas rrëfimit të Memës. Erjon Tola është renditur i nënti.
Në ditën e dytë të sllallomit special, Zeneli nuk e përfundon garën, Erjon Tola është i 14-ti, kurse Suela Mëhilli ngjitet në podium si e treta. Dhe kjo është arritje për skitë shqiptare.