ASNN – Janë luajtur dje dy ndeshjet e javës së 9-të të Kampionatit të 12-të Kombëtar të Futbollit të Sallës dhe bardheblutë e Angonit, duke përfituar nga pushimi i Flamurtarit, gdhijnë në krye. Lojtarët tiranas janë vënë në garë me njëri-tjetrin kush e kush të shënonte më shumë ndaj Teutës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, teksa kanë shënuar plot 13 gola në portën durrsake.
Ajo që duhet thënë është fakti se ndeshja ka nisur me gati 30 minuta vonesë, sepse përgjatë gjithë ditës, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, kanë qenë “Dëshmitarët e Jehovait”. E jo vetëm kaq, por gjatë pjesës së dytë, teksa kishin mbetur dhe 11 minuta lojë, ka pasur dhe një bllokim të tabelës elektronike, e cila e ka detyruar ndërkombëtarin Kreshnik Hakrama që të vendosë orën në dorë për të mbajtur kohën.
Megjithatë përtej këtyre defekteve, në përgjithësi ka qenë një ndeshje e qetë, pas së cilës ka ardhur dhe fitorja e thellë e Tiranës, 13-4. Bardheblutë janë në krye, sepse Flamurtari e ka shtyrë ndeshjen e tij në Shkodër për shkak të angazhimit në Kupën “Adem Jashari”, kurse KS Ali Demi ka rënë për herë të dytë në këtë kampionat, teksa është mundur 4-1 nga Edro Vlora.
Kampionati i 12-të Kombëtar
i Futbollit të Sallës
Java e 9-të
(1 mars 2015)
Tirana – Teuta 13-4
Edro Vlora – KS Ali Demi 4-1
Black Sheep – Universiteti Epoka 0-3 (në tavolinë)
Vllaznia – Flamurtari (e shtyrë)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Tirana 9 6 2 1 64-30 20
- Flamurtari 8 6 1 1 61-20 19
- KS Ali Demi 9 6 1 2 41-34 19
- Edro Vlora 9 5 0 4 29-36 15
- Vllaznia 8 4 2 2 45-27 14
- Teuta 9 3 0 6 36-55 6
- Universiteti Epoka 9 1 0 8 42-89 3
- Black Sheep 9 1 0 8 15-42 0
Shënim: “Black Sheep” me vendim të Komisionit të Disiplinës është përjashtuar nga kampionati.