AlbanianSport.com 29.09.2014 12:55
ASNN – Në Gjirokastër humbja ndaj Dinamos ka ardhur si një “rrufe në qiell të hapur”. Sepse askush nuk e mendonte atë, pasi skuadra bluzi, e drejtuar nga Bledar Devolli, jo vetëm që ishte ekipi i parë që kishte nisur periudhën përgatitore, por dhe kishte bërë plot shtatë blerje cilësore. Madje dhe miqësoret e përfunduar me fitore kishin krijuar imazhin që kjo skuadër do të jetë e sigurt në ngjitjen e saj në Kategorinë Superiore.
Por e shtuna ka qenë një imazh i kundërt me atë që pritej prej të gjithëve nga Luftëtari. Një skuadër që ka pasur probleme në të gjitha repartet. Futbollistët që më tepër ecnin se sa vraponin. Pa pikë befasie në sulm dhe për rrjedhojë kundërshtari e ka pasur shumë më të lehtë për të zmbrapsur sulmet e vendësve. Dhe duke qenë e shpejtë në kundërsulm, Dinamo ka shënuar dy gola dhe më pas është larguar nga qyteti jugor me tri pikë të arta.
Në fakt dje është pritur që skuadra të zbriste në stërvitje. Por kanë qenë vetëm skuadrat e moshave, të cilat kanë qenë në pritje të kundërshtarëve nga Peqini, por dhe këto nuk janë dukur në Gjirokastër. Në të tilla kushte e diela ka qenë një ditë e zbraztë për gjirokastritët, kurse sot pritet një analizë e thellë e humbjes me Dinamon. Reagimi duhet të vijë që të mërkurën në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit dhe më pas të shtunën në kampionat ndaj Sopotit po në Gjirokastër.