AlbanianSport.com 15.12.2014 13:50
ASNN – Një short që ka shmangur në përgjithësi përballjet e forta, duke favorizuar ekipet pretendente. Kështu mund të cilësohet shorti i turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve, i hedhur para pak minutash në Nion të Zvicrës. Midis 8 çifteve spikatin përballjet Paris SG-Çellsi dhe Juventus – Borusia e Dortmundit.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka hedhur të hënën në Nion të Zvicrës shortin e turit të 16-shes, që sikundër edhe pritej, ka shmangur në përgjithësi përballjet e forta, duke favorizuar ekipet pretendente për këtë trofe.
Kampionia në fuqi e Evropës, Reali i Madridit do ta nisë me një përballje relativisht të lehtë, ndaj gjermanëve të Shalkes 04-s, ndërsa një kundërshtare gjermane e pret edhe finalisten e mundur të sezonit të shkuar, Atletikon e Madridit, që do të ndeshet me Bajer Leverkusenin.
Një tjetër pretendente, Bajerni i Mynihut, do të ketë përballë ukrainasit e Shahtjorit të Donjeckut, ndërsa në atë që është padyshim një prej dueleve më të spikatura, Juventusi do të sfidojë Borusian e Dortmundit. Një tjetër çift i spikatur është edhe ai midis Paris SG dhe Çellsit, kurse përballja e dytë franko-angleze është ajo midis Arsenalit dhe Monakos.
Një tjetër pretendente, Barcelona, do të ndeshet me Mançester Sitin. Në çiftin e fundit, Bazeli ndeshet me Porton, ndërsa ndeshjet e para luhen më 17-18 dhe 24-25 shkurt 2015, ndërsa ato të kthimit më 10-11 dhe 17-18 mars 2015. Shorti i çerekfinaleve hidhet më 20 mars 2015, ndërsa ai gjysmëfinaleve më 24 prill 2015.
Liga e Kampioneve
Shorti i turit të 16-shes:
Paris SG – Çellsi
Mançester Siti – Barcelona
Bajer Leverkusen – Atlétiko e Madridit
Juventus – Borusia Dortmund
Shalke 04 – Real Madrid
Shahtjor Donjeck – Bajern Mynih
Arsenal – Monako
Bazel – Porto