AlbanianSport.com 28/05/2020 23:10
ASNN – Thyerja e masave anti-“Covid-19” i ka kushtuar shtrenjt kryesueses së Bundesligës Austriake. Skuadra e Linzer ASK-së, shkurt LASK, e ka pësuar rëndë, për shkak se ka tentuar të kryejë seanca stërvitore gjatë periudhës së epidemisë së virusit korona. Gjithçka u filmua dhe menjëherë nisën hetimet dhe tashmë ka edhe një vendim për dënimin e skuadrës që kryesonte kampionatin pas 22 javësh.
Plot 12 pikë të zbritura nga renditja aktuale dhe plot 75 mijë euro gjobë, çka bën që LASK-ja të zbresë në vendin e dytë, pas RB Salzburgut. Skuadra austriake kishte grumbulluar 54 pikë, që tanimë bëhen 42 pikë. Në bazë të formulës, faza e 3-të nis me renditje të përgjysmuar dhe tashmë LASK numëron 21 pikë, 3 më pak se Salzburgu, që nga 48 pikë, shkon në 24.
Linzer ASK-ja sigurisht që nuk është pajtuar me vendimin e marrë dhe do ta apelojë. Klubi austriak e konsideron shumë të rëndë dënimin për 4 seanca stërvitore të kryera. Me tezën e një mase jo proporcionale me shkeljen e bërë, ata do tentojnë të ulin dënimin, sidomos pjesën e pikëve, teksa edhe Bundesliga austriake bëhet gati të rinisë pa tifozë.