Gjergj Vyshka 10.01.2016 13:50
7 shkurti i këtij viti, që do të ishte 55-vjetori i lindjes së AlfredZiajit, është menduar nga gazetari sportiv Moisi Dalipi si një aktivitet për të kujtuar këtë figurë të futbollit vlonjat e atij kombëtar.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tij në “Facebook”, Dalipi jo vetëm që ka lajmëruar aktivitetin, por së bashku me familjarët e Alfred Ziajit ka shpjeguar se do të jetë një aktivitet model në të cilin do të vlerësohet dhe ridimensionohet figura e tij.
Alfred Ziaji, Mjeshtër Sporti, për 12 vjet kontribuoi tek Flamurtari, 1979-1991, atje ku u shpall kampion kombëtar, dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë, si dhe Superkupës së Shqipërisë.
Pa thënë që ndeshjet e tij në Kupat e Evropës me Flamurtari janë një emblemë më vetë. Ndërkohë që më pas do të ishte themeluesi i shoqatës kombëtare të minifutbollit shqiptar, si dhe i futbollit të sallës.
E për tre vjet edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit. E për të gjitha këto e për të mirat që solli në futbollin shqiptar, Fred Ziaji më 7 shkurt do të kujtohet nga miqtë e tij…