AlbanianSport.com 22/02/2019 12:05
ASNN – Pas ndeshjeve të luajtura të enjten në mbrëmje në kuadër të turit të 32-shes së Ligës së Evropës, janë përcaktuar edhe ekipet që vijojnë më tej në këtë veprimtari, pra në turin e 16-shes. Natyrisht, edhe në këtë veprimtari, sikurse dhe në Ligën e Kampioneve, “ligjin” e bëjnë ekipet e kampionateve të mëdha elitare në Evropë, por kryesisht ato spanjolle.
Kjo pasi në garë për trofeun është Sevilja, Valencia dhe Vijareali, të 3 skuadra pretendente për trofeun. Natyrisht, edhe Anglia përfaqësohet me dy skuadra shumë të forta, të tilla si Çellsi dhe Arsenali, që kanë potencialisht mundësinë për të marrë kurorën e kësaj veprimtarie, e dyta më e rëndësishme në kontinent pas Ligës së Kampioneve.
Italiane (Serie A) janë dy skuadra, të cilat pretendojnë të marrin trofeun dhe kanë realisht shanse. Është Interi dhe Napoli, megjithëse rrugëtimi i tyre deri tani është paksa me fat sepse shorti ishte relativisht i lehtë për ta. Nga ekipet gjermane është vetëm Eintrahti i Frankfurtit, që ia doli të jetë ende në garë, kurse nga Liga 1 e Francës është Rena.
Kuptohet, në garë do të vijojnë të jenë edhe skuadra portugeze e Benfikës, Dinamo e Kievit, Dinamo e Zagrebit, Krasnodari dhe Zeniti rus, Sllavia e Pragës, si dhe Salzburgu austriak. Me pak fjalë, janë 11 vende të kontinentit të vjetër që përfaqësohen në këtë fazë të Ligës së Evropës.
Ja skuadrat e kualifikuara për në turin e 16-shes së Ligës së Evropës:
- Arsenal
- Benfika
- Çellsi
- Dinamo Zagreb
- Dinamo Kiev
- Eintraht Frankfurt
- Inter
- Krasnodar
- Napoli
- Renë
- Salzburg
- Sevilja
- Sllavia Pragë
- Valencia
- Vijareal
- Zenit Shën Pjetërburg
Vendet e përfaqësuara:
Spanja 3
Anglia 2
Italia 2
Rusia 2
Gjermania 1
Ukraina 1
Franca 1
Austria 1
Portugalia 1
Kroacia 1
Republika Çeke 1