AlbanianSport.com 16/02/2019 12:15
ASNN – Futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave vlerësohen sipas shumë treguesve dhe e vërteta është se asnjëherë studiuesit, tifozët, analistët, optimistët dhe skeptikët, nuk merren vesh për më të mirin, jo vetëm për shkak të preferencave personale, por edhe se në kohë të ndryshme futbolli shfaq cilësi të ndryshme dhe natyrisht shpejtësi të ndryshme. E thënë ndryshe, duke bërë një gjykim të caktuar për një futbollist që luan aktualisht në fushë, nuk mund të jesh kaq i përpiktë për të bërë gjykimin e një futbollisti që ka luajtur para 70 apo 80 vjetësh.
“AlbanianSport.com” sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit të kombit shqiptar. E dimë, lexuesit mund të mos kënaqen me këtë radhitje, aq më pak njerëzit që kanë luajtur vetë futboll dhe mund të kenë preferenca të ndryshme, madje ne as nuk pretendojmë të jemi vlerësuesit më të mirë, por do të përpiqemi të krijojmë një ndarje për efekt radhitjeje, sepse secili prej tyre e shumë të tjerë jashtë listës e meritojnë të jenë të pranishëm këtu.
Para se të dalim në emrat konkretë, duhet të përmendim këtu edhe disa lojtarë që kanë shkëlqyer me talentin dhe lojën e tyre, të tillë si Stërmasi, Gjinali, Dinella, vëllezërit Ballgjini, Çeço, Rragami, Hafizi, Përnaska, Zëri, Minga, Kola, Muça, Petro e Vasil Ruci, Ziaji, Taho, Alimehmeti, Shulku, Skela, Tare, Bogdani, Strakosha, V. Sinani, Muka, Jupi, Salihi e shumë e shumë të tjerë. Të 11 të përzgjedhurit tanë po vijnë për ju çdo ditë përgjatë 11 ditëve në vijim, duke nisur nga e marta.
- Refik Resmja – Rekordet e tij janë ende të pathyera
Refik Resmja ka qenë një sulmues i madh. Ai lindi më 1 janar 1931 në Tiranë, nga një familje me origjinë nga shqptarët e Maqedonisë. Resmja e filloi karrierën me Tiranën, e më pas e vijoi me Partizanin ku regjistroi dhe suskeset më të mëdha. natyrisht, pas tij Partizanit do t’i vinte një tjetër sulmues i madh, ndoshta më i madhi, Panajot Pano. Por deri në momentin kur do të dilte Pano në skenë në fushë shkëlqenin dy lojtarë të mëdhenj, Selman Stërmasi dhe Refik Resmja.
Arsyeja pse është radhitur në këtë listë të futbollistëve të mëdhenj lidhet me fakti se në karrierën e tij 16-vjeçare, ka shënuar në 136 ndeshje të luajtura plot 185 gola. Ai është ndoshta i vetmi futbollist që ka një koeficient realizimi 1.5 gola për ndeshje, diçka e rrallë në futboll. Veçantia e dytë është se Refik Resmja ka qenë në librin e rekordeve si golashënues për më shumë se 60 vjet dhe është ende në dhjetëshen e parë në botë për numrin e golave të shënuar në një vit kalendarik.
Në vitin e largët 1951, ka shënuar me fanellën e Partizanit 59 gola, duke pasur para tij vetëm Mesin, Mylerin, Ronaldon, Romarion e ndonjë tjetër, që kanë shënuar mbi 60 gola në një vit kalendarik. Shifra të tilla për kampionatin shqiptar duken një tabu dhe të paarritshme. Refik Resmja ndërroi jetë më 6 shtator të vitit 1997, në moshën 66-vjeçare.