AlbanianSport.com 19/02/2019 20:10
ASNN – Futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave vlerësohen sipas shumë treguesve dhe e vërteta është se asnjëherë studiuesit, tifozët, analistët, optimistët dhe skeptikët, nuk merren vesh për më të mirin, jo vetëm për shkak të preferencave personale, por edhe se në kohë të ndryshme futbolli shfaq cilësi të ndryshme dhe natyrisht shpejtësi të ndryshme. E thënë ndryshe, duke bërë një gjykim të caktuar për një futbollist që luan aktualisht në fushë, nuk mund të jesh kaq i përpiktë për të bërë gjykimin e një futbollisti që ka luajtur para 70 apo 80 vjetësh.
“AlbanianSport.com” sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit të kombit shqiptar. E dimë, lexuesit mund të mos kënaqen me këtë radhitje, aq më pak njerëzit që kanë luajtur vetë futboll dhe mund të kenë preferenca të ndryshme, madje ne as nuk pretendojmë të jemi vlerësuesit më të mirë, por do të përpiqemi të krijojmë një ndarje për efekt radhitjeje, sepse secili prej tyre e shumë të tjerë jashtë listës e meritojnë të jenë të pranishëm këtu.
Para se të dalim në emrat konkretë, duhet të përmendim këtu edhe disa lojtarë që kanë shkëlqyer me talentin dhe lojën e tyre, të tillë si Stërmasi, Gjinali, Dinella, vëllezërit Ballgjini, Çeço, Rragami, Hafizi, Përnaska, Zëri, Minga, Kola, Muça, Petro e Vasil Ruci, Ziaji, Taho, Alimehmeti, Shulku, Skela, Tare, Bogdani, Strakosha, V. Sinani, Muka, Jupi, Salihi e shumë e shumë të tjerë. Të 11 të përzgjedhurit tanë po vijnë për ju çdo ditë përgjatë 11 ditëve në vijim, duke nisur nga e marta e shkuar.
Kemi hyrë tani në 5-shen më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Nuk është e lehtë të përmendësh emra, sepse shqiptari e ka zakon të jetë kudo i pari, edhe në futboll, por kushtet na detyrojnë të bëjmë një ndarje të drejtë e të pranueshme. Për këtë arsye lipset mirëkuptim. Fundja, emrat që do të radhisim kanë përmasa që nuk mund të atakohen për pozicionimin, sepse e kanë shkruar me talent dhe djersë emrin e tyre në radhët e më të mirëve.
- Loro Boriçi – Në Shkodër ka një stadium me emrin e tij
Loro Boriçi është futbollisti më i largët në kohë nga lojtarët që janë zgjedhur në këtë 10-she si më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar. Ai u lind në Shkodër më 4 gusht 1922 dhe vdiq në Tiranë më 25 prill të vitit 1984. Është një prej personaliteteve më të mëdha të futbollit shqiptar, ish-futbollist sulmues dhe ish-trajner. Loro Boriçi përfshihet në këtë listë për disa aspekte. Ka qenë lojtar i shpejtë, i zhdërvjelltë, ka pasur rol lideri, futbollist me peshë në lojën e grupit dhe njëherësh triumfator.
Ndoshta arsyeja kryesore e përfshirjes në këtë listë është për të nderuar grupin që i dha Shqipërisë titullin e Kampionatit Ballkanik të vitit 1946, trofeu i parë i madh për përfaqësuesen kuqezi dhe deri më tani i vetmi, sepse asnjë skuadër përfaqësuese jona dhe asnjë skuadër nuk ka mundur të fitojë një kampionat ballkanik. Me kurorën e dafinave në kokë dhe trofeun e kupës ballkanike në duar, fotoja e Loro Boricit si triumfator i mbetet tashmë panteonit të futbollit kombëtar.
Më vonë Loro Borici ka pasur ndikim të madh edhe si trajner e kuadro sporti. Edhe pse vitet ikin, madje dhjetëvjeçarët shkojnë, Loro Boriçi duket se do ta ketë edhe në të ardhmen e largët një vend në këtë 10-she. Futbolli në Shqipëri para Loro Boriçit ekzistonte vetëm si term dhe i papërfillshëm në fushë, pas tij u bë më tërheqës dhe me baza. Respekt për këtë ikonë të futbollit shqiptar!