AlbanianSport.com 03.09.2015 09:20
ASNN – Me një turne minifutbolli të fituar nga ekipi i Radio-Televizionit Shqiptar, është përkujtuar të mërkurën në kryeqytet, në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, komentatori i mirënjohur Frederik Fico. Mjeku që kishte pasion sportin, ishte një nga zërat më të spikatur dhe më të veçantë të komentimit shqiptar. Dhe padyshim, ai ishte një nga zërat më të spikatur dhe më të veçantë të komentimit shqiptar.
Frederik Fico, mjeku që kishte pasion sportin dhe komentimin, është përkujtuar në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta me një turne minifutbolli, të mbajtur në kryeqytet. Një prej bashkëkohësve të tij, Bashkim Tufa, e kujton Fredin si vlerë të gazetarisë sportive shqiptare.“Unë e kam njohur shumë herët Ficon, pasi kam kryer shërbimin ushtarak në Gjirokastër”, – rrëfen Tufa.
“Më pas, kjo njohje dhe kjo miqësi u forcua me kalimin e viteve dhe sot unë e kujtoj Fredin si një vlerë të gazetarisë sportive shqiptare, që i mungon shikuesit dhe sportdashësit shqiptar”, – shton gazetari i njohur sportiv. Ndërsa e bija, Evisi, vlerëson organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore. “Unë falënderoj të gjithë ata që mundësuan organizimin e këtij turneu”, – thotë ajo.
“Për mua, në këtë 10-vjetor të ndarjes nga jeta të babait, kjo veprimtari bën që të ndjej se ai është ende mes nesh, falë gjestit të ish-kolegëve të tij, të vjetër dhe të rinj, që gjetën kohë dhe erdhën këtu, edhe për të luajtur, por edhe për ta kujtuar atë”, – shton Evis Fico. Në këtë turne, fitues u shpall ekipi i Televizionit Shqiptar, i cili mundi në gjysmëfinale SuperSportin 3-1 dhe në finale Panorama Sportin me shifrat 5-2.