AlbanianSport.com 01/04/2019 18:30
ASNN – Kur mbeten edhe 10 javë deri në përfundim të Kategorisë Superiore për këtë edicion, duket se vetëm kreu ka marrë drejtim, që do të thotë se Partizani po shkon drejt titullit “kampion”, bazuar në epërsinë e tij ndaj rivalëve në krye të renditjes, me plot 9 pikë nga Kukësi ndjekës i vendit të dytë. Natyrisht, titulli fitohet kur është siguruar matematikisht kryesimi, kështu që gara teorikisht mbetet e hapur, por të kuqtë kanë si epërsi jo vetëm diferencën me pikë, por njëherësh edhe grupin më të konsoliduar në mbrojtje.
Edhe sepse janë skuadra që kanë pësuar më pak gola, vetëm 12 të tillë, dhe janë skuadra me numrin më të paktë të humbjeve, 4 të tilla. Ndërkohë, nëse Partizani bën diferencë në treguesit sportivë në tërës, një tjetër skuadër është “mbret” në Superiore. Laçi është ekipi më i çuditshëm i këtij kampionati. Pozicionimi në mesin e tabelës nuk është rastësor, as barazimi i fundit me Tiranën, por ndërsa rivalja bardheblu lufton për mbijetesë, Laçi falë barazimeve të shumta ia ka dalë të jetë në pozita të mira për të shpresuar një vend si pjesëmarrës në Ligën e Evropës.
Kështu, kurbinasit janë skuadra me më shumë barazime në Superiore. Nga 26 ndeshje të luajtura, kanë barazuar në 11 duele, kanë fituar 9 dhe kanë humbur 6 të tilla. Vetëm Partizani (4) dhe Teuta (5) ka humbur më pak ndeshje se kurbinasit, gjë që tregon se Laçi e ka të vështirë të fitojë, por nga ana tjetër Laçi është i vështirë për t’u mundur. Rezultate të tilla mund të shpjegohen me qëndrueshmërinë e skuadrës në të githa repartet dhe lojën e saj stabile përgjatë gjithë sezonit. Pas Laçit, ekipi me më shumë barazime është Teuta, me 10 deri tani.
Por durrsakët kanë regjistruar 11 fitore dhe kjo i mban ata mbi kurbinasit në renditje. Nga ana tjetër, “Djemtë e detit” kanë edhe një sulm më të mirë dhe kjo është diferencë e mjaftueshme për të qenë më lartë në renditje. Laçi ka një golavarazh pothuajse në ekuilibër (21-20). Ndërkohë, skuadra e 3-të me më shumë barazime është Tirana, e cila ka fiksuar 9 ndeshje me vlerë njëpikëshe. Edhe bardheblutë tregojnë se nuk kanë forcë të mjaftueshme për të fituar ndeshjet, por janë dukshëm rivalizues edhe ndaj skuadrave të mëdha.
Ndryshimi me dy skuadrat sipërpërmendura është se Tirana ka pësuar shumë gola gjatë këtij sezoni, plot 27 gola. Edhe pse ka shënuar 29 gola dhe është një prej ekipeve me sulmin më të mirë, Tirana ka mbrojtje të dobët dhe e ka penalizuar, sepse nuk ka marrë maksimumin dhe kjo është arsyeja që endet në zonën e ftohtë të tabelës, duke luftuar për mbijetesë. Në këtë analizë të shkurtër, evidentohet një fakt interesant: Laçi është skuadër kryesisht mbrojtëse, por me një kombinacion perfekt me sulmin. Kurbinasit janë skuadër barazimesh, por dinë të fitojnë në fushën e tyre.
Dhe kjo u jep avantazhe të pakrahasueshme. Asnjë skuadër tjetër si Laçi nuk ka mundur të marrë kaq shumë pikë me dy fazat e lojës në ekuilibër të plotë. Laçi është skuadra tipike që ka kuptuar dhe ka vënë në zbatim thënien e vjetër “një pikë është më mirë se asnjë” dhe “një pikë është mirë se mban edhe rivalët në vendnumëro”.